Qendra për Studime Universitare (QSU) e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar me sukses një ushtrim fushor 36-orësh në Kosovë. Gjatë këtij ushtrimi, kadetët zhvilluan trajnim praktik në operacione mbrojtëse.
Kadetët u angazhuan në detyra operative, përfshirë fortifikimin e pozicioneve mbrojtëse, operacionet e zbulimit dhe mbrojtjen e zonës. Pjesë e ushtrimit ishin edhe tre kadetë nga Kolegji Mbretëror "Saint-Jean" i Kanadasë, të cilët po vijojnë studimet në QSU për një semestër.
Ky aktivitet shërbeu për rritjen e gatishmërisë profesionale dhe përmirësimin e aftësive taktike të kadetëve, duke dëshmuar përkushtimin e QSU-së në përgatitjen cilësore të kuadrove të ardhshme.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar për realizimin e suksesshëm të ushtrimit përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar angazhimin e kadetëve në detyrat operative.