Komisioni Europian konfirmoi më 4 maj 2026 ndalimin e financimit për pajisjet diellore të prodhuara në Kinë, për shkak të shqetësimeve se këto mund të rrezikojnë sigurinë e rrjetit elektroenergjetik evropian dhe të shkaktojnë ndërprerje të mëdha energjie.
Ndalimi fokusohet te inverterët solarë, që shndërrojnë energjinë diellore në energji elektrike të përdorshme. Këto pajisje lidhen shpesh me internetin për mirëmbajtje ose përditësime nga distanca, duke i bërë të cenueshme ndaj hakerëve ose aktorëve armiqësorë.
Kristof Podevils, sekretar i përgjithshëm i Këshillit Evropian për Prodhimin e Pajisjeve Solare, deklaroi se inverterët posedojnë një "çelës fikjeje" për stabilizimin e rrjetit, por në skenarin më të keq lidhjet e tilla mund të shfrytëzohen për të prishur furnizimin me energji.
Sipas grupit kërkimor Lum me seli në Gjenevë, në 2024 61% e inverterëve të importuar në Europë vinin nga Kina. Kompanitë Huawei dhe Sungrow dominojnë tregun evropian dhe global. Disa prodhues kinezë kanë furnizuar pajisje për më shumë se 220 gigavat kapacitet diellor të instaluar në Europë.
Ekspertët vlerësojnë se kontrolli mbi 10 gigavat energjie të lidhur me këto inverterë mjafton për të shkaktuar çrregullime serioze në rrjetin europian.
Brukseli po ndjek një politikë më të ashpër ndaj importeve kineze. Në mars Komisioni Europian prezantoi Aktin për Përshpejtimin Industrial për të mbështetur prodhimin evropian të teknologjive të gjelbra, si bateritë dhe automjetet elektrike. Po rishikohet edhe Akti i Sigurisë Kibernetike për të dhënë kompetenca më të mëdha në kufizimin e kompanive kineze në infrastrukturën kritike.