Komisioni Evropian ka përgatitur një nismë të re për të lehtësuar afrimin ekonomik të nëntë shteteve kandidate me Bashkimin Evropian. Drafti, i cili pritet të publikohet më 6 tetor pas takimit të Kolegjiumit në Strasburg, përshkruhet si instrumenti më i fuqishëm për konvergjencën ekonomike të vendeve aspirante.
Vendet e përfshira në këtë listë janë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Turqia, Moldavia dhe Ukraina. Sipas dokumentit, qasja në tregun e përbashkët, ku qarkullojnë lirshëm mallrat, shërbimet, kapitali dhe njerëzit, nuk do të jetë automatike.
Kushti kryesor për përfitimin nga këto instrumente është progresi i matshëm në reformat kombëtare. Siç theksohet në draft: “Përparimi i krahasueshëm duhet të çojë në mundësi të krahasueshme”. Për të garantuar qëndrueshmërinë, Komisioni ka parashikuar mekanizma mbrojtës, të cilët mundësojnë pezullimin e qasjes në treg nëse një vend shfaq shenja ngecjeje në zbatimin e reformave.
Disa nga elementët e propozuar përfshijnë integrimin në sektorë të teknologjisë kritike, ekosistemeve industriale dhe pjesëmarrjen në programin “Horizont Evropa”. Megjithatë, disa shërbime, si zona e përbashkët e pagesave (SEPA) dhe heqja e tarifave të roamingut, janë tashmë në proces ose të disponueshme për disa nga vendet kandidate. Çdo propozim kërkon miratimin unanim nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe do të shërbejë si bazë për diskutimet në samitin e 15 dhe 16 tetorit në Bruksel.