Punimet e Kongresit të VIII të Mjekësisë nisën më 22 tetor dhe kongresi po mbahet për dy ditë në Hotel Emerald, në Prishtinë. Tema e këtij viti është “Promovimi dhe edukimi shëndetësor – Në 40-vjetorin e Kartës së Otavës: Së bashku për shëndet dhe mirëqenie”.
Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, gjatë kongresit do të prezantohen mbi 130 punime shkencore nga ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë. Në fokus të diskutimeve janë çështjet e shëndetit publik, veçanërisht promovimi dhe edukimi shëndetësor dhe roli i tyre në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.
Kongresi synon të krijojë hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive shkencore ndërmjet profesionistëve shëndetësorë, si dhe të kontribuojë në përparimin e praktikave dhe politikave shëndetësore. Sipas njoftimit të Odës, temat do të nxisin diskutimin për sfidat aktuale të shëndetit publik dhe mundësitë për ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme.
Në hapjen solemne morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, mes tyre ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe profesionistë të mjekësisë. Në kuadër të ceremonisë është parashikuar promovimi i dokumentarit “Roli dhe kontributi i mjekëve në edukimin shëndetësor, imunizimin dhe mbrojtjen e shëndetit publik nga sëmundjet ngjitëse”. Dokumentari trajton rëndësinë e edukimit të qytetarëve, parandalimit të sëmundjeve dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
Programi përfshin gjithashtu promovimin e Revistës Mjeku dhe të librit “Historia e Mjekësisë Botërore dhe Shqiptare – prej Dardanisë e deri sot”, që sjell në vëmendje zhvillimin historik të mjekësisë dhe kontributin e saj ndër shekuj.