Dy persona janë shpëtuar nga një situatë rreziku në det, pasditen e së martës, në afërsi të ishujve të Ksamilit. Shtetasit Hetem Mezini, 29 vjeç, dhe Zef Mersini, 36 vjeç, të dy nga qyteti i Kukësit, ndodheshin duke lundruar me një pedalone kur mjeti pësoi defekt. Sipas të dhënave, pedalonia filloi të fuste ujë në brendësi, duke bërë që ajo të anohej dhe të rrezikonte mbytjen.
Salla operative u njoftua përmes një telefonate urgjente, e cila aktivizoi menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës. Për ndërhyrjen u përdor mjeti lundrues i policisë me shenjën identifikuese BP-11, si dhe dy mjete të tipit jetski. Të dy personat u nxorën nga uji në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa pedalonia u tërhoq deri në breg nëpërmjet mjeteve të ndihmës së shpejtë të policisë.