Në Gjykatën e Apelit, të hënën, u shqyrtuan ankesat e mbrojtjes në rastin ndaj Zoran Kostiqit dhe Dragan Miloviqit, të dënuar nga shkalla e parë për krime lufte në fshatin Reznik të Vushtrrisë. Mbrojtësit kërkuan lirimin e të dyve. Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Kostiqin me 15 vjet burgim dhe Miloviqin me 7 vjet, më 18 mars 2026.
Avokati Predrag Miljkoviq, mbrojtës i Kostiqit, kundërshtoi aktgjykimin për shkelje të procedurës penale, vërtetim jo të plotë ose të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Ai kërkoi që Apeli ta anulojë aktgjykimin dhe ta kthejë çështjen për rigjykim, ose ta ndryshojë vendimin dhe ta lirojë Kostiqin nga akuza.
Miljkoviq tha se, sipas tij, aktgjykimi mbështetet në premisën e përgjegjësisë kolektive dhe nuk sqaron se cilave forca u përkiste Kostiqi. Sipas avokatit, nga 17 dëshmitarë të dëgjuar në shqyrtimin gjyqësor, vetëm 4 e lidhën Kostiqin me ngjarjet. Ai ngriti pretendime për kundërthënie mes deklaratave dhe tha se aktgjykimi prej 85 faqesh nuk trajton provat materiale të paraqitura nga mbrojtja. Miljkoviq kundërshtoi gjithashtu pranimin e provave të Prokurorisë Speciale.
Për Miloviqin, avokatët Mahmut Halimi dhe Millosh Deleviq paraqitën ankesë të përbashkët dhe kërkuan lirimin e tij. Halimi tha se aktgjykimi nuk shpjegon pse pranohet një version i deklaratës dhe refuzohet një tjetër, veçanërisht kur mospërputhjet lidhen me identitetin e kryerësit dhe qëllimin. Ai argumentoi se Miloviqi duhet të mbajë përgjegjësi vetëm për veprimet e veta, jo për ato të të tjerëve.
Prokuroria e Apelit kërkoi që ankesat të refuzohen si të pabazuara. I dëmtuari Vesel Latifi u bashkua me propozimin e prokurorisë dhe tha se dënimi 15-vjeçar i Kostiqit nuk mjafton për krimet e luftës.
Kolegji përbëhet nga gjykatësja Albina Shabani-Rama, kryetare, gjyqtari referues Vaton Durguti dhe anëtari Mentor Bajraktari. Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, Kostiqi, si pjesëtar i forcave policore serbe, akuzohet se gjatë luftës në Kosovë mori pjesë në sulmin ndaj popullsisë civile shqiptare, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe forcave paramilitare serbe.