Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka njoftuar përfundimin e afatit për dorëzimin e aplikimeve në kuadër të procedurës së hapur të rekrutimit për 40 pozicione për hetues. Në mbyllje të këtij afati, janë regjistruar gjithsej 979 aplikime për pjesëmarrje në këtë procedurë konkurrimi.
Institucioni ka vlerësuar interesin e lartë të treguar nga kandidatët dhe ka falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces. Pas përfundimit të fazës së aplikimit, procedura do të vijojë me verifikimin paraprak të dokumentacionit të paraqitur, në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si dhe në rregulloren përkatëse për rekrutimin e hetuesve.
Kandidatët që do të plotësojnë kriteret ligjore dhe dokumentacionin e kërkuar do të kualifikohen për të vijuar më tej në fazat e mëtejshme të rekrutimit, të cilat përfshijnë:
• Testime dhe vlerësime profesionale;
• Verifikimin e integritetit;
• Verifikimin e kushteve të sigurisë.
BKH thekson se kalimi nga njëra fazë në tjetrën do të realizohet vetëm pas përmbushjes së standardeve të përcaktuara. Të gjithë aplikantët do të njoftohen për rezultatet e verifikimit paraprak, si dhe për detajet mbi zhvillimin e fazave të mëtejshme përmes kanaleve zyrtare të komunikimit. Institucioni rikonfirmoi angazhimin e tij për një proces rekrutimi transparent, të paanshëm dhe të bazuar në meritokraci, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjithë kandidatët.
Përditësime
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) njoftoi zyrtarisht nisjen e fazës së testimit për 979 aplikantët në garën për 40 pozicione hetuesi. Kandidatët do t’i nënshtrohen një serie vlerësimesh që përfshijnë prova fizike si vrap dhe pompa, testimin me makinën e së vërtetës dhe kontrolle të thella të integritetit mbi lidhjet me krimin. Procesi po monitorohet nga partnerë ndërkombëtarë të BKH-së dhe SPAK-ut për të garantuar transparencën e standardeve.