Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prezantoi Blerina Gjylameti si Drejtoreshën e re të Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), në një takim me ekipin drejtues të institucionit.
Gjatë prezantimit, ministri Salla vuri theksin te rëndësia e drejtimit dhe menaxhimit efikas të institucionit, si dhe te roli kyç i sigurisë ushqimore në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. “Ndamë me ekipin drejtues rëndësinë e menaxhimit efikas të punës dhe vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë ushqimore, e cila mbetet një prioritet kombëtar dhe një shtyllë thelbësore e procesit tonë të integrimit në Bashkimin Evropian,” u shpreh ai.
Ministri theksoi se AKU do të vijojë të forcojë rolin e tij institucional në shërbim të qytetarëve dhe biznesit. “AKU do të vijojë të forcojë besimin e publikut dhe rolin e tij kyç në garantimin e ushqimit të sigurt dhe cilësor, përmes kontrolleve të bazuara në risk dhe rritjes së profesionalizmit të inspektimeve, në shërbim të konsumatorëve dhe biznesit,” shtoi Salla.
Në përfundim të takimit, ministri shprehu mirënjohjen për drejtuesin e deritanishëm të institucionit për angazhimin dhe kontributin e dhënë, si dhe i uroi suksese Blerina Gjylameti në detyrën e re.
Përditësime
Blerina Gjylameti, ish-deputete e Partisë Socialiste, mori sot zyrtarisht detyrën e drejtoreshës së AKU-së, emëruar dje nga Ministri Salla.