Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) zhvilloi në Shkodër një program pune për mbikëqyrje në terren të procedurave të inspektimit dhe këshillim të trupës inspektuese të AKU Rajonal Shkodër. Në këtë veprimtari morën pjesë Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula dhe Drejtoresha e Përgjithshme Blerina Gjylameti, të cilët ndoqën nga afër procesin në dy subjekte.
Gjatë inspektimit në sektorin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, me fokus te prodhimi i djathit dhe gjalpit, u verifikuan kushtet higjieno-sanitare, gjurmueshmëria e lëndës së parë dhe e produktit përfundimtar, praktikat e ruajtjes dhe trajtimit, si dhe përputhshmëria me kërkesat ligjore. Trupa inspektuese u udhëzua për standardizimin e hapave të kontrollit dhe raportimin e njëtrajtshëm të gjetjeve.
Në stabilimentin e pulave, vëmendje e veçantë iu kushtua kategorizimit të vezëve, respektimit të kërkesave për trajtim, ruajtje, etiketim dhe deklarim. U dhanë këshilla për përmirësimin e kushteve higjenike, organizimin e mjediseve dhe proceseve të punës, si dhe zbatimin e praktikave të mira.
Dashnor Sula deklaroi: “AKU do të zbatojë një standard të vetëm inspektimi, të harmonizuar me praktikat e Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë tolerancë për devijime nga procedurat: çdo kontroll duhet të jetë i dokumentuar, i argumentuar dhe i njëjtë për të gjithë. Kush nuk përmbush kërkesat ligjore, do të përballet me masa.”
Këto veprimtari synojnë rritjen e efektivitetit dhe transparencës së kontrolleve, forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.