Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka përsëritur thirrjen për qytetarët e saj, veçanërisht për bashkatdhetarët në mërgatë që planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të zgjedhin rrugë alternative dhe të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë. Ky apel vjen si masë sigurie për shkak të rasteve të shpeshta të ndalimeve, marrjes në pyetje dhe arrestimeve të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti më i fundit përfshin arrestimin e shtetasit Osman Selmani, i cili po mbahet nën dyshimet e autoriteteve serbe për krime lufte të pretenduara nga viti 1999. Gjatë dy viteve të fundit, MPJD ka raportuar incidente të shumta, përfshirë kontrolle të zgjatura në pikat kufitare dhe arrestime të lidhura me akuza për thyerjen e rendit kushtetues të Serbisë.
Lidhur me këtë situatë, avokati Arianit Koci u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit nëpër këtë shtet. MPJD thekson se, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, po monitoron dhe po trajton çdo rast të raportuar nga qytetarët ose familjarët e tyre. Po ashtu, autoritetet kosovare kanë njoftuar vazhdimisht delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi dhe kanë dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi.