Prokuroria Themelore në Prishtinë, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka njoftuar se më 23 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë katër persona të dyshuar për vepra penale në lidhje me patentë-shoferë.
Të dyshuarit janë:
- I.M., nga auto shkolla “A…….”, dyshohet për veprën penale "Marrja e ryshfetit" sipas nenit 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;
- A.B. dhe Z.B., nga auto shkolla “I………….”, dyshohen për veprën penale "Falsifikimi i dokumentit zyrtar" sipas nenit 427 të KPRK-së;
- V.L., ekzaminere për patentë-shofer në MMPHI, dyshohet për veprën penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" sipas nenit 414 të KPRK-së.
Aksioni u zhvillua në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Departamentin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë. Pas masave hetimore të veçanta, I.M.-së i është sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorur nga fondet e Policisë së Kosovës. Gjithashtu, në zbatim të urdhrit të kontrollit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, u kontrolluan dy auto shkolla ku u siguruan prova materiale të nevojshme. Të dyshuarve I.M. dhe V.L. u sekuestruan telefonat mobilë.
Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të paraqesë në gjykatë kërkesën për caktimin e masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurën penale.
Përditësime
Prokurori Arianit Salihu udhëhoqi aksionin e ndalimit në bashkëpunim me Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë.
Ismet Muhaxheri, Zukë Behrami, Agon Behrami dhe Vjollca Lajqi identifikohen si të dyshuarit kryesorë. Auto-shkollat e implikuara: “Anita” dhe “Instruktori”.
- Hetimet nisën në janar 2026 me masa të fshehta hetimore.
- Ngjarja ndodhi rreth orës 09:45, gjatë testit teorik.
- Autoritetet intervistuan një dëshmitar.
- U sekuestruan tre telefona celularë dhe dokumentacioni i kandidatit.
Hetimet vazhdojnë me mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.