Ish-presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar homazhe përkujtimore dhe ka shkruar në Librin e Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja.
Akademiku, shkrimtari dhe kritiku letrar shqiptar Rexhep Qosja ka vdekur të enjten në moshën 90-vjeçare, siç ka njoftuar familja e tij. Trupi i tij është varrosur të enjten në një ceremoni private familjare.
Nipi i tij, Valjet Rexhepi, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se familja nuk do të organizojë ceremoni pritjeje dhe nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. "Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!", ka shkruar Rexhepi.
Homazhet përkujtimore do të mbahen deri në orën 16:00, ndërsa 24 prilli është shpallur ditë zie në Kosovë në nderim të tij.