Vikena Greku, 18-vjeçare, do të përcillet sot në mesditë në banesën e fundit në fshatin Dyshnik të Beratit. Ajo humbi jetën më 15 janar në aksidentin e ndodhur te Ura e Dajlanit në Durrës, ku automjeti tip BMW X5, i drejtuar nga Arbër Xhaxhaj, u përplas me barrierat mbrojtëse dhe përfundoi në një hapësirë për tregtimin e luleve.
E reja jetonte prej vitesh në Gjermani me prindërit Vullnet Greku dhe Valbona Greku, si dhe me vëllain e vogël Nevio. Ajo ishte kthyer në Shqipëri për të takuar gjyshërit në Dyshnik. Pas emigrimit të prindërve, Vikena dhe vëllai kishin qëndruar me gjyshërit në të njëjtin fshat, ku kishin vazhduar shkollën nëntëvjeçare derisa u bashkuan me familjen në Gjermani.
Ndaj Arbër Xhaxhaj, 26-vjeçar nga Fieri, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest me burg. Dyshohet se ai drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të lartë, rreth 130 km/orë, në drejtim Tiranë-Durrës. Grupi hetimor vlerëson se i riu ngatërroi korsinë dhe humbi kontrollin e mjetit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për drejtimin e mjetit në mënyrë të parregullt dhe shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.
Nga aksidenti u dëmtuan lehtë Xhaxhaj dhe dy këmbësorë. Shoferi paraqiti gjendje të rëndë psikologjike kur mbërriti i prangosur në gjykatë.