Operacioni policor antidrogë i koduar “Deja” u zhvillua ditën e sotme në zonën e njohur si “Liqeni i Lukanit”, pas informacioneve të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër. Aksioni u finalizua nëpërmjet bashkëpunimit me shërbimet e Komisariateve të Policisë Dibër, Mat dhe Kamëz.
Sipas njoftimit zyrtar, zbulimi i bimëve narkotike u bë i mundur përmes kontrolleve intensive në terren dhe monitorimit nga ajri me dronë. Në parcelën e kultivuar në një pronë publike në territorin e bashkisë Dibër, policia konstatoi dhe asgjësoi në vend, me anë të djegies, gjithsej 1 121 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa.
Në flagrancë u arrestuan shtetasit Arjan Karaj, 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe Aurel Bajraktari, 39 vjeç, banues në fshatin Derjan të bashkisë Mat. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia e Dibrës u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave rurale, që të denoncojnë çdo rast apo indicie lidhur me kultivimin e bimëve narkotike, duke vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit me organet ligjzbatuese për parandalimin e këtij fenomeni me pasoja penale dhe sociale.