Policia kriminale në Neubrandenburg të Gjermanisë po heton sulmin ndaj një 14-vjeçari, për të cilin janë identifikuar 12 të dyshuar, të moshës 9 deri në 15 vjeç. Sipas autoriteteve, mes tyre ka persona me prejardhje shqiptare. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Neubrandenburg, në landin Mecklenburg-Vorpommern.
Sipas raportimeve, i mituri dyshohet se është rrahur dhe keqtrajtuar për disa orë. Disa nga të dyshuarit dyshohet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dhunë, ndërsa të tjerë e kanë filmuar incidentin nga disa kënde. Pamjet kanë qarkulluar për një kohë në rrjetet sociale.
Në mesin e personave të identifikuar, sipas autoriteteve gjermane, ka gjermanë, shqiptarë, tunizianë dhe persona me prejardhje gjermano-turke. Policia fillimisht njoftoi se viktima kishte pësuar lëndime të lehta, por pas një vlerësimi të mëtejshëm mjekësor gjendja e tij u klasifikua si lëndim i rëndë. Ai u dërgua në spital për trajtim.
Sipas të dhënave të publikuara nga policia, gjatë sulmit dyshohet se janë përdorur grushte, shqelma dhe sende të ndryshme, si dhe se 14-vjeçarit i janë shkaktuar djegie. Gjatë hetimeve, autoritetet sekuestruan telefonat e të dyshuarve. Në to u gjetën materiale filmike që ndihmuan në zbardhjen e rastit dhe në përcaktimin e rolit të secilit.
Policia po e heton rastin për vepra të dyshuara penale, përfshirë lëndimin e rrezikshëm trupor, detyrimin dhe fyerjen. Autoritetet nuk kanë dhënë hollësi të tjera për personat që dyshohet se kanë pasur rolin kryesor, duke përmendur arsyet hetimore.
Për të dyshuarit nën moshën 14-vjeçare, pasojat do të trajtohen në bashkëpunim me shërbimet për mbrojtjen e të miturve. Sipas ligjit gjerman, personat nën këtë moshë nuk kanë përgjegjësi penale. Hetimet e policisë kriminale të Neubrandenburgut vazhdojnë.