Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës bëri të ditur se gjatë vitit 2025, deri më 1 dhjetor, u ngritën 11 aktakuza për veprën penale "krim i luftës kundër popullsisë civile". Gjatë kësaj periudhe u akuzuan 36 persona, prej të cilëve 33 për gjykim në mungesë, ndërsa u parashtruan 8 kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj 10 personave.
Numri total i rasteve me aktakuza është 74 raste me 80 aktakuza ndaj 216 personave. Prej tyre, 20 aktakuza janë për gjykim në mungesë ndaj 102 personave.
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, foli për vështirësitë e autoriteteve vendore në ndjekjen penale të kryerësve të krimeve lufte. Ai theksoi se ka kaluar kohë e gjatë dhe provat janë lehtësisht të zhdukshme. Hasani vlerësoi mundësinë e gjykimit në mungesë për krime lufte, krimet kundër njerëzimit e gjenocid, por dyshoi në efektet e tyre për shkak të ligjit që lejon rigjykim kur personat bëhen të qasshëm. Ai përmendi mungesën e bashkëpunimit me Serbinë, e cila nuk dorëzon personat e akuzuar.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha se vitet e fundit kanë dominuar aktakuzat në mungesë për krime lufte. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e konsideron vitin 2025 si vit të drejtësisë. Fatmire Haliti nga kjo qendër theksoi progresin në qasjen në drejtësi për mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Aktgjykimi i parë në mungesë u shpall në vitin 2024 kundër Çedomir Aksiq, i cili kreu krime lufte në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë të komunës së Shtimes.
Në luftën e fundit në Kosovë u vranë mbi 13 mijë civilë, u dhunuan seksualisht mbi 20 mijë gra e burra, ndërsa mbi 6 mijë persona u zhdukën, prej tyre 1.600 vazhdojnë të jenë të zhdukur.