Mijëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të enjte në sheshin "Skënderbej" në Tiranë, për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, pjesëmarrësit vijuan marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Në mesin e protestuesve ndodhet edhe Engjëll Cani, babai i të ndjerit Martin Cani. Të pajisur me flamuj dhe pankarta, protestuesit bënë thirrje për tërheqjen e projektit dhe kërkuan publikimin e dokumentacionit përkatës.
Sipas organizatorëve, kjo protestë është pjesë e një sërë tubimesh kundër ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura natyrore. Ata kërkuan hapjen e një procesi të mirëfilltë të konsultimit publik, duke theksuar se shqetësimi kryesor mbetet mungesa e transparencës institucionale. Deri në këto momente, marshimi është zhvilluar në mënyrë paqësore, ndërsa priten reagime nga autoritetet për hapat që do të ndiqen në vazhdim.