Sot, më 5 qershor 2026, në Prishtinë është zhvilluar një protestë para objektit të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut. Ky tubim është organizuar si shenjë mbështetjeje për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kundërshtojnë kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe gjatë provimeve shtetërore.
Protesta, e cila ka nisur në orën 14:00, është organizuar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë, në bashkëpunim me organizatën studentore UDS dhe Parlamentin Studentor. Organizatorët kanë theksuar se qëllimi i këtij aktiviteti është mbrojtja e të drejtave gjuhësore dhe arsimore të komunitetit shqiptar në vendin fqinj, duke bërë thirrje për pjesëmarrje qytetare dhe ruajtje të karakterit paqësor të protestës.
Gjatë zhvillimit të tubimit, përveç kërkesave për barazi gjuhësore, para godinës së Ambasadës është shfaqur edhe flamuri i UÇK-së. Pjesëmarrësit kanë kërkuar garantimin e plotë të përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha proceset zyrtare arsimore në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë si një çështje themelore për komunitetin shqiptar.
Përditësime
Protesta në Prishtinë në mbështetje të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është zhvendosur te ndërtesa ku po mbahet provimi i jurisprudencës. Policia e Kosovës ka shtuar forcat në terren për të garantuar rendin, ndërsa korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami, raporton për monitorim të situatës pas rritjes së tensioneve.
Studentë nga Prizreni dhe Peja iu bashkuan protestës në Prishtinë në mbështetje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Pjesëmarrësit mbanin pankarta me mbishkrimet 'Shqipja nuk duhet t'i mohohet asnjë shqiptari' dhe 'Shqipja është amanet'. Këshilli organizator paralajmëroi dy masa:
- Bojkotin e mundshëm të studimeve në Shkup nga studentët kosovarë.
- Radikalizimin e protestave në ditët në vijim.