Pamjet nga përleshja fizike mes dy kirurgëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë janë publikuar nga Nacionale. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 26 janarit në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, ku u përplasën fizikisht kirurgët Xhevdet Ademaj dhe Baton Kelmendi.
Sipas pamjeve, Baton Kelmendi priste ashensorin kur shfaqet Xhevdet Ademaj, i cili duket se i jep një goditje. Përleshja vazhdoi derisa të dy përfunduan në dysheme, dhe një mjek tjetër ndërhyri për t’i ndarë. Konflikti kishte nisur disa ditë më parë me përplasje verbale në një mbledhje.
Policia e Kosovës u njoftua menjëherë dhe deklaroi se ngjarja ndodhi rreth orës 08:00. Zëdhënësi për Prishtinën, Enis Pllana, bëri të ditur se, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, rasti u inisua si “Sulm”. Prokuroria në Prishtinë vazhdon hetimet bashkë me policinë.
Menaxhmenti i QKUK-së reagoi duke nisur procedurat disiplinore. Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Sejdi Statovci, dërgoi rastin në Komisionin Disiplinor, i cili vendosi suspendimin e Xhevdet Ademaj-t dhe Baton Kelmendi-t për një periudhë prej 6 muajsh.