Pika kufitare e Bllatës është përfshirë nga një fluks i shtuar automjetesh gjatë ditës së sotme. Banorët e Qarkut Dibër po kalojnë vijimisht kufirin drejt Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut për t’u furnizuar me karburant dhe produkte të shportës ushqimore.
Sipas drejtuesve të mjeteve, arsyeja kryesore e kësaj lëvizjeje është diferenca e ndjeshme e çmimit të naftës. Aktualisht, në Shqipëri një litër naftë shitet për 219 lekë, ndërsa përtej kufirit, çmimi arrin në 160 lekë, duke krijuar një kursim prej 60 lekësh për litër. Kërkesa e lartë ka sjellë krijimin e radhëve të gjata dhe pritje me orë të tëra në doganë.
Ndërkohë, lehtësimi i procedurave kufitare mbetet i pezulluar. Ndonëse rreth dy muaj më parë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshjen për zbatimin e sistemit One stop, ky vendim ende nuk ka hyrë në fuqi pasi nuk është ratifikuar nga parlamentet e të dyja vendeve.