Rrëshqitje masive të tokës janë regjistruar të shtunën në fshatin Spatharë, në Njësinë Administrative Qendër të bashkisë Librazhdit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonë.
Fenomeni filloi rreth orës 14:30, riaktivizua pas rreth një ore dhe përshkallëzua në orët e vona të pasdites, duke zhvendosur sipërfaqe të mëdha toke dhe duke përfshirë një bllok të madh banimi.
Dhjetëra shtëpi janë dëmtuar lehtë, ndërsa shtatë të tjera rëndë. Rrëshqitjet kanë prekur kryesisht Lagjen Hoxha dhe zonën ku dikur ndodhej depo e furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit, duke rritur rrezikun për banorët dhe infrastrukturën përreth.
Ky nuk është rasti i parë në Spatharë, pasi zona njihet për problematika gjeologjike dhe ka përjetuar rrëshqitje të ngjashme vite më parë.
Autoritetet vendore janë njoftuar për situatën dhe ndjekin zhvillimet, ndërsa pritet vlerësimi i plotë i dëmeve dhe marrja e masave për sigurinë e banorëve.