Çmimet e qirave për apartamentet me qëllim strehimi në Tiranë vijuan tendencën rritëse në 2026, duke ndikuar drejtpërdrejt në inflacion.
Për muajin mars, sipas të dhënave të INSTAT, grupi i qirave ka dhënë ndikimin kryesor në inflacion, me 0.95 pikë përqindje, nga 2.6% që u rrit inflacioni në total. Transporti ka ndikuar me 0.48 pikë përqindje, ndërsa ushqimet e pijet alkoolike me 0.44 pikë përqindje.
Një vëzhgim i bërë nga Monitor në Tiranë tregon rritje të qirave afatgjatë në disa zona qendrore:
Pranë stadiumit Dinamo, apartamentet 1+1 variojnë nga 500 deri në 1000 euro në muaj, krahasuar me 500-800 euro vitin e kaluar. Rritja maksimale arrin 25%.
Në zonën e Liqenit, apartamentet 1+1 kanë çmim maksimal 1500 euro, nga 1300 euro në 2025, me rritje 15%.
Pranë Komunës së Parisit, në rrugën e Kosovarëve, apartamentet 1+1 me post parkimi arrijnë 900 euro, nga 500-800 euro në 2025. Për 2+1, çmimet pa parkim janë 1000 euro, ndërsa me parkim deri 1200 euro, krahasuar me maksimumin 1100 euro vjet. Këto prona kanë mobilim bashkëkohor dhe janë në ndërtime të vitit 2025.
Në periferi, çmimet mbeten të qëndrueshme. Në zonën e Freskut, apartamentet 1+1 jepen me 380-400 euro, ndërsa 2+1 me 450 euro.
Agjentët imobiliarë shpjegojnë se rritja nuk vjen vetëm nga kërkesa e lartë, por edhe nga shfrytëzimi i pronave për qira afatshkurtër, që pakëson ofertën për qira afatgjatë. Ky fenomen rrit presionin në treg dhe pritet të vazhdojë në 2026.