Rrjeti rrugor i Shqipërisë u pakësua me rreth 181 kilometra në periudhën 2014-2024, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT). Ky pakësim buron kryesisht nga riklasifikimi i inventarit rrugor dhe amortizimi i lartë i segmenteve në zonat rurale.
Qarqet që shënuan rritje të gjatësisë së rrjetit rrugor janë:
- Shkodra: +54.1 km (+13%), për shkak të ndërtimit të rrugës së re drejt Thethit dhe aksit Tamarë-Vermosh.
- Vlora: +50.4 km (+12%), falë Bypass-it të Vlorës dhe rrugës së Lumit të Vlorës.
- Elbasani: +32.5 km (+9%).
- Korça: +24.7 km (+7%).
Këto qarqe konsiderohen përfituesit kryesorë të investimeve në infrastrukturë gjatë dekadës së fundit.
Në anën tjetër, shumica e qarqeve regjistruan tkurrje:
- Tirana: -68.6 km (-22%).
- Fieri: -68.2 km (-19%).
- Lezha: -59.9 km (-19%).
- Kukësi: -50.1 km (-13%).
- Durrësi: -36.5 km (-20%).
- Dibra: -39.7 km (-14%).
- Berati: -17.9 km (-10%).
- Gjirokastra: -2.5 km (-1%).
Ky fenomen shpjegohet me investimet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të vlerësuara në miliarda euro, të përdorura kryesisht për rindërtimin, zgjerimin dhe modernizimin e rrugëve ekzistuese, jo për hapjen e kilometrave të rinj. Gjithashtu, pas reformës territoriale dhe proceseve të inventarizimit, bashkitë përditësuan regjistrat duke hequr segmente jo funksionale ose duke i riklasifikuar ato.