Revista Monitor ka përpunuar të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ardhurat për frymë në dollarë për vitin 2026 dhe çmimin aktual të naftës sipas Global Petrol Prices.
Të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri janë 12 mijë dollarë në vit, ose 33 dollarë në ditë, sipas Pasqyrës Ekonomike Globale të FMN-së. Një litër naftë tregtohet me rreth 200 lekë, ose 2.4 dollarë. Kështu, një qytetar shqiptar harxhon 7.2% të të ardhurave ditore për një litër naftë. Kjo është pesha më e lartë ndër vendet europiane të analizuara.
Krahasimi me rajonin
Në krahasim me rajonin, pesha është të paktën dyfish më e lartë:
- Serbi: 3.7%
- Mali i Zi: 3.6%
- Rumani: 2.8%
- Greqi: 2.5%
Çmimet nominale në rajon janë 15-30% më të ulëta se në Shqipëri, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Të ardhurat për frymë në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në rajon, mbi ato të Maqedonisë së Veriut, ndërsa Kosova ka nivelin më të ulët.
Krahasimi me Europën e zhvilluar
Në ekonomitë e zhvilluara europiane, diferenca është më e madhe për shkak të të ardhurave më të larta. Në Itali, Françë, Gjermani e Belgjikë, një litër karburant përfaqëson më pak se 2% të të ardhurave ditore. Në disa vende të Europës Veriore, pesha është edhe më e ulët. Holanda ka çmimin absolut më të lartë në Europë, por një qytetar atje harxhon vetëm rreth 1.1% të të ardhurave ditore, shtatë herë më pak se në Shqipëri.