Juristi Ylli Manjani ka kundërshtuar arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke argumentuar se masa e sigurisë ndikon negativisht mbi procesin gjyqësor. I ftuar në emisionin “Top Story”, ai theksoi se një masë e tillë vendos nën presion gjyqtarët që shqyrtojnë akuzat penale. Për krahasim, ai përmendi dosjen “Partizani”, duke u shprehur se gjyqtarët që e trajtojnë atë janë më të relaksuar për shkak të mungesës së një mase sigurie mbi të pandehurit.
Sipas Manjanit, masa e arrestit me burg duhet të zbatohet vetëm në raste specifike, si kur autori kapet në flagrancë ose në raste vrasjesh. Ai e konsideroi diskursin mbi “pandëshkueshmërinë” si një nismë që buron nga korridoret e politikës dhe që krijon mjegull në debatin ligjor. Juristi theksoi se masa të tilla shpesh përdoren në mënyrë të pajustifikuar, ndërsa nënvizoi mungesën e standardeve në drejtësi.
Në pjesën tjetër të diskutimit, Manjani komentoi qëndrimet e Parlamentit Europian lidhur me zhvillimet institucionale në vend. Ai e cilësoi këtë institucion si “më të papunin në Europë” dhe hodhi dyshime mbi objektivitetin e tij, duke aluduar se përfaqësuesit e tij ndikohen nga lidhjet politike, përfshirë marrëdhëniet me deputetin Gazment Bardhi.