Emisioni Në Shënjestër publikoi këtë të martë një dokument ekskluziv për masterplanin e Portit të Durrësit. Bëhet fjalë për një studim të mirëfilltë për zgjerimin e portit aktual, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 546, më 28 maj 2009, dhe të botuar në fletoren zyrtare më 4 qershor 2009.
Masterplani, me gjithsej 727 faqe, parashikon zhvillimin në 4 faza. Ai është hartuar nga kompania Royal Haskoning, e cila ka marrë 25 milionë euro nga qeveria në vitet 2022 dhe 2024 për projektin e ri të Porto Romanos dhe mbikëqyrjen e punimeve. Dokumenti është financuar nga Bashkimi Europian.
Në faqen 30 të masterplanit renditen avantazhet e zgjerimit të portit ekzistues:
- Zbatimi i masterplanit mund të fillojë brenda një periudhe të shkurtër pa investime të mëdha, pasi terminalet e ndryshme do të mbeten në vendin dhe në zonën ekzistuese.
- Mundësia e realizimit me faza.
- Përdorimi i basenit ekzistues të portit dhe optimizimi i sipërfaqeve të tokës.
- Përpunimi i të gjithë trafikut të planifikuar, me mundësi zgjerimi në kalatën 13.
- Fleksibilitet për zhvendosjen e ngarkesave të rifuxhove të thata në port tjetër, duke i shndërruar terminalet në hapësira për kontenierë.
Projekti synon ta kthejë Portin e Durrësit në një nyje strategjike për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian, me kosto totale 70 milionë euro në 30 vjet. Skica e masterplanit tregon portin në fund të zhvillimit, duke përcaktuar karakteristikat kryesore të fazave. Për shembull, Faza 1 parashikonte deri në vitin 2010 zgjerimin e terminalit të kontenierëve në të gjithë kalatën 6 dhe punime të tjera.