Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Blerina Gjylameti, zhvilloi një vizitë zyrtare pranë Autoritetit Holandez për Sigurinë e Ushqimeve dhe Produkteve të Konsumit. Gjatë vizitës, ajo u shoqërua nga ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko.
Palët i kushtuan vëmendje të veçantë inovacionit, dixhitalizimit dhe përdorimit inteligjent të të dhënave, si instrumente për optimizimin e proceseve të punës. Diskutimet u përqendruan në çështje kyçe për forcimin e sigurisë ushqimore në Shqipëri:
• Procedurat për ngritjen dhe funksionimin e laboratorëve të specializuar;
• Menaxhimin e efikasitetit në Pikat e Inspektimit Kufitar;
• Përdorimin e sistemit të njoftimit të shpejtë për ushqimet (RASFF);
• Standardizimin e kontrolleve zyrtare, auditimeve dhe protokolleve të marrjes së mostrave.
Një pjesë e vizitës u fokusua në prezantimin e procesit të kategorizimit të Operatorëve të Biznesit Ushqimor me origjinë shtazore (OBU). Përmes këtij instrumenti, AKU synon të orientojë industrinë drejt përmirësimit të vazhdueshëm dhe përafrimit me standardet evropiane. Gjithashtu, u diskutua mbi sistemin e pikëzimit për vlerësimin e OBU-ve, i cili pritet të rrisë transparencën, përgjegjshmërinë dhe nivelin e sigurisë për konsumatorët.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap drejt shkëmbimit të përvojave evropiane dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore.