Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Baruni”, i ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve të zhvilluara në territor, në vendin e quajtur “Skahide”, në lagjen Barun, autoritetet zbuluan një parcelë të mbjellë me bimë të dyshuara cannabis sativa.
Në momentin e ndërhyrjes, efektivët e policisë kapën në flagrancë pronarin e parcelës, shtetasin E. P., 62 vjeç, banues në Krujë. Ai është vënë në pranga dhe ndaj tij po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Sipas njoftimeve zyrtare, bimët narkotike të gjetura në këtë parcelë janë asgjësuar në vendngjarje përmes djegies.
Policia bën me dije se materialet në lidhje me këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Ndërkohë, aksionet e kontrolleve në territorin e Krujës do të vijojnë me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera të mundshme të kultivimit të kanabisit. Policia thekson se operacioni është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen e rendit publik dhe luftën kundër paligjshmërisë në zonë.