Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e pestë të operacionit të koduar “Relay 5”, pas një hetimi me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, për goditjen e transportit të emigrantëve ilegalë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Gjatë operacionit u arrestua shtetasi maqedonas J. N., 41 vjeç, i cili u kap në flagrancë në aksin rrugor Kashar–Thumanë, teksa transportonte dy emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së, kryesisht drejt Italisë.
Nga hetimet rezulton se është identifikuar organizatori i këtij rasti, shtetasi M. A., 33 vjeç, banues në Durrës, i cili është shpallur në kërkim. Dyshohet se M. A. iu ka marrë secilit prej emigrantëve nga 2500 euro, me premtimin se do të mundësonte transportin e tyre ilegal drejt Italisë.
Gjatë operacionit u sekuestruan automjetin me të cilin kryhej transporti, dy telefona celularë dhe një shumë parash.
Policia bën me dije se po punohet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, ndërsa vijon hetimi për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.