Në seancën gjyqësore të së hënës, më 2 mars 2026, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për administrim të parregullt të drejtësisë, dëshmitari me kod 7, pjesëtar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), pohoi se Bislim Zyrapi vetë e kishte bërë të ditur për publikun se do të intervistohej nga stafi i ZPS-së në korrik 2019.
Kundërpyetjet i bëri avokatja Sophie Menegon, e cila përfaqëson Hashim Thaçin. Ajo prezantoi dokumente dhe artikuj nga media kosovare ku Zyrapi konfirmonte intervistimin. Dëshmitari u pajtua se Zyrapi kishte dhënë komente publike për ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999, si dhe për organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dëshmitari shpjegoi se Zyrapi nuk kishte nevojë për masa mbrojtëse gjatë dëshmisë së tij në korrik 2024, sepse është figurë e njohur publike në Kosovë dhe ka dëshmuar më parë në gjykata ndërkombëtare, përfshirë Tribunalin e ish-Jugosllavisë. Ai nuk mund të fliste për dëshmi në gjykatat e Kosovës.
Avokatja pyeti gjithashtu për intervistimin e Rrustem Mustafës dhe Bislim Zyrapit lidhur me pretendimet për ndërhyrje në rast. Dëshmitari konfirmoi se ka dijeni për këto intervistime, por nuk i kujtonte dëshmitarë të tjerë nga çështje krimesh lufte të intervistuar për të njëjtën çështje.
Prezantohen artikuj ku Zyrapi fliste për urdhra arrestimi dhe jo vrasje, si dhe dëshminë e tij në rastin “Kleçka” më 5 qershor 2023. Dëshmitari mohoi t’i kishte parë këto artikuj, por u pajtua se Zyrapi ka dëshmuar në gjykata vendore për krime lufte. Dokumentet u pranuan në prova pa kundërshtime.
Seanca filloi në orën 09:30, me transmetim të vonuar 45 minuta për publikun dhe kaloi disa herë në seancë private.