Familjet dhe individët shqiptarë fituan një rekord prej 134 milionë euro nga qiradhënia afatshkurtër në platformën Airbnb gjatë vitit 2025. Të dhënat e AirDNA-s, njësia analitike e kësaj platforme dhe të bëra të disponueshme për Monitor, tregojnë se mesatarisht 26.3 mijë apartamente e njësi të tjera banimi ishin të disponueshme për qira.
Kjo shifër shënon një rritje prej 25.3% krahasuar me vitin 2024, kur numri ishte 21 mijë njësi. Për herë të parë, të ardhurat totale arritën nivelin rekord prej 134 milionë euro, me një rritje vjetore prej 23.4%. Megjithatë, shtimi i konkurrencës ka ulur fitimin mesatar për njësi banimi.
Përfaqësimi në tregun e banesave
Numri i njësive të dhëna me qira përmes Airbnb përfaqëson gati 3% të totalit të njësive për banim në Shqipëri, që arrin rreth 1.08 milionë sipas të dhënave të INSTAT. Në raport me apartamentet në pallate, kjo përbën 6.1% të tyre, ose 432 mijë njësi.
Rritja e numrit të njësive është e dukshme në kohë. Në janar të vitit 2021, e dhëna më e hershme e disponueshme nga AirDNA, jepeshin me qira rreth 6.2 mijë njësi, pra katër herë më pak se në 2025.
Ndikimi në tregun e qirave
Familjet po e trajtojnë shtëpinë si aset produktiv, duke e dhënë me qira afatshkurtër për turistët ose afatgjatë për banorët. Kthimi i Shqipërisë në destinacion turistik ka nxitur këtë tendencë, duke konkurruar hotelet me çmime ditore më të ulëta se në vendet e tjera evropiane.
Në anën tjetër, çmimet e qirave afatgjata po rriten me ritme të larta, duke shtrembëruar tregun e banesave.