Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po përballet me vështirësi në sigurimin e një kthimi optimal nga investimi në prona të destinuara për qiradhënie. Megjithëse çmimet e qirave janë rritur vitet e fundit, të ndikuara kryesisht nga kërkesa për qira ditore për shkak të zhvillimit të turizmit, fitimi mbetet i kufizuar në raport me standardet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të AirDNA për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, të ardhurat bruto mujore nga qiradhënia për pronat në AirBNB në Tiranë janë 765 euro, ose 9180 euro në vit. Në të njëjtën kohë, indeksi Keydata Albania vlerëson çmimin mesatar të shitjes në kryeqytet në 2100 euro për m2. Për një apartament mesatar prej 80 m2, kostoja e blerjes arrin në 168 mijë euro, pa përfshirë shpenzimet shtesë për mobilim.
Llogaritjet tregojnë se kthimi vjetor bruto është 5.5%, por ky vlerësim zbret ndjeshëm nën 5% kur merren parasysh shpenzimet e mirëmbajtjes, taksat, amortizimi dhe mobilimi. Për pasojë, koha e nevojshme për rikuperimin e investimit është të paktën 19 vjet, ndërkohë që standardet globale për një investim efikas në prona kërkojnë një periudhë prej 12 deri në 15 vjet.
Si alternativë për investitorët, tregu financiar ofron opsione më tërheqëse me rrezik më të ulët. Yield-i i obligacioneve 20-vjeçare të qeverisë shqiptare aktualisht është 6.5%, ndërsa ai i obligacioneve 15-vjeçare qëndron në 6.22%. Bazuar në këto tregues, ekspertët vlerësojnë se kthimi nga qiradhënia e banesave në tregun shqiptar nuk paraqitet si një mundësi investimi veçanërisht tërheqëse krahasuar me instrumentet e tjera financiare.