Në Gjirin e Omanit janë grumbulluar anije të mëdha me kontejnerë dhe tankera nafte, që presin të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo ngushticë, e vendosur mes gadishullit Arabik dhe brigjeve të Iranit në një distancë më pak se 33 kilometra, kalon rreth një e katërta e naftës botërore.
Që nga fillimi i konfliktit, Irani përdor ndërhyrje elektronike për të prishur sinjalet GPS dhe sistemet e identifikimit të anijeve. Këto ndërhyrje bëjnë që radarët të tregojnë vendndodhje të gabuara dhe rrisin rrezikun e aksidenteve. Sipas të dhënave detare të cituara nga La Repubblica, janë regjistruar mbi 3.500 ndërhyrje të tilla.
Normalisht, nga Hormuzi kalojnë rreth 100 anije në ditë, duke transportuar 14 milionë fuçi naftë nga Arabia Saudite, Kuvajti e Iraku, si dhe gaz të lëngshëm nga Katari. Tani, rreth 400 anije janë bllokuar brenda gjirit dhe 500 të tjera presin jashtë, me mallra në vlerë rreth 25 miliardë dollarë.
Disa vende po synojnë rrugë alternative, si tubacionet drejt Detit të Kuq, por këto transportojnë vetëm një pjesë të naftës zakonisht të kaluar nga Hormuzi. Për këtë arsye, prodhimi i naftës dhe gazit është ulur në disa vende.
Irani lejon kalimin vetëm të anijeve nga vende jo-armiqësore, si Kina. Disa anije përpiqen të kalojnë duke deklaruar rrejshëm se janë kineze. Kompanitë e sigurimit kanë rritur kostot, ndërsa SHBA ka premtuar eskortë ushtarake për disa anije, edhe pse ekspertët thonë se kjo është e vështirë për shkak të kohës dhe burimeve të nevojshme.
Situata po nxit rritjen e çmimit të naftës. Nëse kriza vazhdon, ekspertët parashikojnë ngritje të çmimeve të energjisë në të gjithë botën.