Raporti Përfundimtar i Reformës Administrativo-Territoriale 2.0, i bazuar në të dhënat e Censit 2023 dhe shpërndarjen në rrjetin standard europian prej 1 kilometër katror, nxjerr në pah pabarazi të theksuara në shpërndarjen hapësinore të popullsisë shqiptare. Mesatarisht, rreth 57% e territorit të bashkive të vendit rezulton pa banorë, çka tregon se popullsia është e grumbulluar në zona të caktuara urbane, fusha dhe lugina.
Sipas të dhënave, qarqet me përqindjen më të lartë të territorit të pabanuar janë:
• Korça: mbi 80%
• Gjirokastra: 77,5%
• Vlora: 71,4%
• Kukësi: 70,7%
• Shkodra: 67,2%
• Dibra: 62,3%
• Berati: 60,8%
Ndërkohë, qarqet që shfaqin një përqendrim më të lartë të popullsisë në territor janë Durrësi, me 20,6% të sipërfaqes së pabanuar, Fieri me 39,9% dhe Tirana me 43,7%. Në nivel mesatar, Lezha dhe Elbasani qëndrojnë përkatësisht me 54,3% dhe 53,6% të territorit bosh.
Dokumenti vlerëson se ky model shpërndarjeje sfidon treguesit tradicionalë të dendësisë së popullsisë, duke bërë të domosdoshme analizën përmes dendësisë së perceptuar dhe përqendrimit hapësinor. Kjo strukturë ka implikime të drejtpërdrejta në administrimin vendor, pasi bashkitë që menaxhojnë sipërfaqe të mëdha me dendësi shumë të ulët popullsie përballen me kosto më të larta për shërbimet publike, infrastrukturën, mirëmbajtjen e rrugëve dhe emergjencat civile.