Në kuadër të operacionit të koduar "Audienca", specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë kontrolluar një magazinë në Tiranë. Kjo magazinë përdorej nga një subjekt me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, i identifikuar si Limited Charm në disa burime.
Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara dhe të kontrabanduara. Produktet mungonin pullën e Agjencisë së Barnave, pullën e Ministrisë së Financave dhe etiketat në gjuhën shqipe.
Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, Jasmin Trebo, 53 vjeç. Ndërkohë, u proceduan penalisht dy punonjës të gjetur në ambientet e magazinës: Jurgen Gurra, 30 vjeç, dhe Masilino Çobo, 26 vjeç.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale:
- Kontrabanda me mallra të tjera;
- Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë;
- Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë;
- Fshehja e të ardhurave;
- Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve.
Autoritetet po punojnë për kapjen e administratorit dhe zbardhjen e rrjetit të furnizimit. Hetimet u zhvilluan me metoda proaktive pas dokumentimit të paligjshmërive.
Përditësime
Policia e Shtetit ka specifikuar se produktet e sekuestruara janë kremra me bazë bimore dhe çajra, të prodhuara në Serbi dhe Bosnje dhe Hercegovinë.
Policia e Shtetit njofton se vlera totale e suplementeve të sekuestruara arrin 48 milionë lekë, me çmim standard 48 mijë lekë për paketë. Produktet shiteshin përmes reklamave masive në rrjetet sociale dhe sajtit zyrtar. Hetimi zgjati disa muaj, ndërsa pjesa e madhe e tyre kishte skadencë në 2023 ose 2024.